Friday, December 6, 2013

Stuhia “Xavier” godet Evropën

Një stuhi e fuqishme ka goditur Evropën Veriore duke marrë jetën e disa personave dhe shkaktuar probleme të mëdha në transport. Erërat e forta të kësaj stuhie, e cila në fakt ngjan me një uragan, ka krijuar dhe valët më të mëdha të baticës në dekadat e fundit. Deri më tani raportohen gjashtë persona të vdekur, por ende nuk dihet numri i saktë i të vdekurve. Shtetet më të goditura janë Skocia, Anglia, Danimarka, Holanda dhe Gjermania. Kjo e fundit po përgatitet për një stuhi edhe më të fuqishme sa ajo e vitit 1962, ku humbën jetën 300 persona, raporton BBC. Bregu lindor i Anglisë po përjeton valët më të mëdha të baticës në 60 vitet e fundit. Stuhia ka shkëputur linjën elektrike të mijërave shtëpive dhe shumë rrugë të qyteteve janë përmbytur. Stuhia e quajtur “Xavier” nisi të godasë Evropën Veriore, mbrëmjen e së enjtes, duke lënë mijëra shtëpi pa energji elektrike. Erërat, me shpejtësi deri në 228 kilometra në orë, shkaktuan panik tek qytetarët. Stuhia ka shkaktuar panik në mbarë Evropën Veriore, ndërsa shumë kompani ajrore kanë anuluar fluturimet, pjesa më e madhe në aeroportin e Hamburgut. Prodhuesit e naftës dhe gazit ne detin e veriut, kanë ndërprerë prodhimin dhe kanë evakuuar stafin nga disa prej platformave të tyre.

No comments:

Post a Comment