Thursday, December 5, 2013

Befasohet Sigal Prishtina..

Skuadra rumune, SCM Craiova, e ka mposhtur Sigal Prishtinën me rezultat 83-72, në kuadër të Ligës Ballkanike. Palestra e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ishte mbushur edhe këtë ndeshje, e veçanërisht nga Plisat të cilët kishin ardhur në numër të madh për ta përkrahur ekipin e tyre. Ndeshja filloi me një intensitet jashtëzakonisht të lartë, teksa bardhekaltërit bënin gabime të njëpasnjëshme në sulm nga euforia që i kishte kapluar, e në anën tjetër rumunët tejet të fokusuar arritën ta përmbyllin çerekun e parë me pesë pikë epërsi. Çereku i dytë ishte vërtetë interesantë, me mysafirët që menjëherë u shkëputën në rezultat me trepikëshat e tyre, mirëpo ngadalë bardhekaltërit u rikthyen në lojë me inkuadrimin e Blerim Mazrekut i cili nuk gabonte në gjuajtjet e lira. Ndërsa, në aksionin e fundit të këtij çereku, Kendrick Jones me një depërtim fantastik e barazoi rezultatin në 37-37. Pjesa e dytë e lojës i takoi rumunëve të cilët dhuruan spektakël të basketbollit me trepikëshat e tyre të cilët i shënonin sikur para lagjes, pasi mbrojtja e prishtinasve pothuajse nuk ekzistonte fare. Craiova e përmbylli çerekun e tretë me 13 pikë epërsi. Me të filluar çereku i katërt, Dardan Berisha shënoi dy trepikësha radhazi për ta ngritur moralin e ekipit dhe për t’iu dhënë një fije shpresë 2500 shikuesve të pranishëm. Pas tij, trepikësh shënoi edhe Aurimas Kieza për ta afruar rezultatin në vetëm tre pikë, dhe kur të gjithë prisnin që rezultati të barazohej rumunët iu kthyen trepikëshave dhe përsëri u shkëputën në rezultat për ta përmbyllur këtë ndeshje me një fitore, të cilën Prishtina as në ëndërr nuk e ka parë. Është frikësuese se sa precizë ishin rumunët sonte nga trepikëshat, ku prej 33 gjuajtjeve i shënuan 17 sosh, në total 51 pikë. . Me këtë humbje Sigal Prishtina radhitet e dyta në Ligën Ballkanike me 10 pikë dhe e ndjek pas Kumanovon që ka një pikë më shumë

No comments:

Post a Comment